Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” inxhinierin dhe konstruktuesin e shquar, Ferit Stërmasi: Mirënjohje për kontributin e madh të dhënë në futjen e të rejave të shkencës në fushën e ndërtimit, si dhe për vlerat e larta qytetare e intelektuale të vëna në shërbim të Tiranës dhe të gjithë vendit tonë

Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” inxhinierin dhe konstruktuesin e shquar, Ferit Stërmasi: Mirënjohje për kontributin e madh të dhënë në futjen e të rejave të shkencës në fushën e ndërtimit, si dhe për vlerat e larta qytetare e intelektuale të vëna në shërbim të Tiranës dhe të gjithë vendit tonë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” inxhinierin e shquar Ferit Stërmasi (pas vdekjes): “Në vlerësim të pasionit dhe veprimtarisë së vyer profesionale për projektimin e shumë veprave të rëndësishme industriale, shoqërore dhe kulturore. Me mirënjohje për kontributin e madh të dhënë në futjen e të rejave të shkencës në fushën e ndërtimit, si dhe për vlerat e larta qytetare e intelektuale të vëna në shërbim të Tiranës dhe të gjithë vendit tonë.

Në fjalën e Tij drejtuar familjarëve, miqve dhe kolegëve të inxhinierit të spikatur, si dhe drejtuesve dhe anëtarëve të Shoqatës “Tirana”, Presidenti Meta u shpreh:

“Kam kënaqësinë të jem bashku me ju, sot, për të vlerësuar një nga konstruktorët më të shquar të vendit tonë, inxhinier Ferit Stërmasi.

Inxhinier Stërmasi edhe pse nuk ndodhet fizikisht mes nesh, ka bërë që puna dhe veprat, të cilat ka lënë trashëgimi, të jenë të shumta dhe të njohura nga të gjithë.

Do të mjaftonte të qëndronim vetëm pak minuta, në qendër të Sheshit ‘Skënderbej’, dhe të hidhnim sytë rreth e rrotull, për të parë tre nga veprat ku inxhinier Stërmasi ka dhënë kontributin e tij të paharruar: Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Hotel ‘Tirana’.

E gjithë karriera e inxhinier Stërmasit iu kushtua fushës së projektimeve.

Moto e punës së tij ka qenë: ‘Shkenca jep zgjidhje, por ato duhet të dish dhe të duash t’i kërkosh’.

I udhëhequr nga kjo moto, inxhinier Stërmasi arriti nivelet e një konstruktori të shquar, shumë prodhimtar dhe njëherazi, po aq cilësor.

Me kulturën e gjerë profesionale dhe me vullnetin, që e karakterizonte, inxhinieri dhe konstruktori Stërmasi ka dhënë një ndihmesë me shumë vlerë, për zgjidhjen e shumë problemeve të vështira të ndërtimit dhe të shkencës së konstruksionit në vendin tonë.

I angazhuar në institutet më të mira studimore e projektuese të  vendit, inxhinier Stërmasi ka dhënë kontributin e tij, në mbi 110 vepra industriale, sociale e kulturore.

Për dy nga veprat e tij, projektimi i Pallatit të Kulturës dhe më pas, projektimi i ndërtesës më të lartë për atë kohë, Hotel ‘Tirana’, inxhinier Stërmasi është vlerësuar me dy Çmime të Republikës.

Por, kontributi i tij është edhe në Muzeun ‘Gjergj Kastrioti’ në Krujë, në Uzinën e Superfostatit në Laç, në Aeroportin e Rinasit, në Uzinën e nikel-kobaltit në Elbasan, në Monumentin ‘Harku i Drashovicës’, në Hotel ‘Skampa’ Elbasan e në shumë e shumë vepra të tjera.

Ndërkohë që, pasioni i tij për studimin, bëri që të jenë të shumta edhe botimet shkencore të inxhinier Stërmasit.

Disa prej studimeve dhe manualeve të tij, në fushën e ndërtimit, ruajnë edhe sot vlera të mirëfillta shkencore.

Dashuria e inxhinier Stërmasit, për studimin dhe shkencën nuk mund të mos e çonte atë drejt mësimdhënies.

Ai ka një kontributi të madh në fushën e arsimit me formimin e inxhinierëve të rinj, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimin, në Universitetin e Tiranës.

Jeta fatkeqësisht u tregua e padrejtë me të. Një sëmundje e rëndë e ndau, ende të ri dhe në kulmin e pjekurisë profesionale, nga familja dhe shoqëria.

Por familja, fëmijët dhe nipërit e tij krenohen me të drejt me trashëgiminë që inxhinier Ferit Stërmasi ka lënë.

Krenohen me punën dhe veprat e tij, që nuk do të vdesin kurrë dhe që janë aty për t’u parë, vlerësuar e rivlerësuar  dhe për t’u admiruar nga brezat që do të vijnë.”