Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistë të Klubit Sportiv “Dinamo”

Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistë të Klubit Sportiv “Dinamo”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” disa ish-futbollistë të spikatur të Klubit Sportiv “Dinamo”.

Me anë të një ceremonie zyrtare, Presidenti Meta dekoroi zotin Eduard Abazaj: “Me vlerësim dhe mirënjohje për talentin dhe personalitetin e tij si futbollist i ekipit ‘Dinamo’, Ekipit Kombëtar, si dhe ekipeve të njohura të elitës europiane, duke shkëlqyer me paraqitjen e vlerave të tij sportive dhe duke shfaqur cilësi të rralla, jo vetëm në fushën e lojës, por dhe në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.”:

Zotin Lorenc Vorfi me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në vlerësim dhe me mirënjohje për kontributin e shquar si futbollist i ekipit ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit.”;

Zotin Taip Çutra: “Me mirënjohje për kontributin e spikatur si futbollist i ekipit ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit.”;

Zotin Jani Rama: “Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributin dhe rezultatet e larta të arritura në futboll, si portier i spikatur dhe me karrierë të gjatë me ekipin ‘Dinamo’, duke u vlerësuar, dashur dhe respektuar nga të gjithë sportdashësit shqiptarë edhe kur mbronte portën e Kombëtares sonë.”;

Zotin Artur Çobani: “Në vlerësim të kontributit dhe aftësive e tij të gjithanshme të treguara në lojën e futbollit si lojtar i ekipeve ‘Traktori’, ‘Dinamo’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

si dhe zotin Aleko Bregu: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin si lojtar i ekipit “Dinamo” dhe ekipeve tona kombëtare, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shquar si lojtar me cilësi fizike dhe teknike të shkëlqyera, njëkohësisht edhe si një golashënues i spikatur.”;

Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar futbollistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre si dhe personaliteteve të futbollit, u shpreh:

“Sot po nderojmë disa personalitete të “Dinamo”-s, këtij ekipi që ishte ansambël në kuptimin e mirëfilltë, për gjithçka i ka dhënë futbollit tonë, me vlerat dhe talentet e jashtëzakonshëm.

Është kënaqësi që t’i akordoj në praninë tuaj, Titulli e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, futbollistit dinamovit dhe ndër më të njohurit e Ekipit tonë Kombëtar, në periudhën në të cilën luajti, z. Eduard Abazaj.

Ed Abazi siç e njohin sportdashësit ka një kontribut të merituar, jo vetëm në rezultatet e ‘Dinamo’-s, por edhe në Ekipet tona Kombëtare, duke qenë i suksesshëm dhe në ekipet e elitës europiane, pas viteve 1990.

Ai ka fituar titullin kampion, Kupën e Republikës, Super Kupën e parë shqiptare dhe shumë të tjera.

Gjatë viteve 1983–1997 ka luajtur 20 ndeshje, për ekipin tonë përfaqësues duke shënuar dhe disa gola të paharruar me lojën e tij.

Padyshim që cilësitë si futbollist, ku mbizotëronin inteligjenca, forca, teknika e lartë, loja në ajër dhe karakteri i tij aq dashamirës, që e bënë Abazin lojtar të kërkuar nga shumë klube prestigjoze të futbollit Europian, si ‘Hajduk’ i Splitit, ‘Olimpik’ i Marsejës, ‘Benfica’, ‘Manchester City’ e plot klube të tjerë futbolli.

Një tjetër emër i shquar i futbollit dinamovit, që sot e vlerësojmë me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ është Lorenc Vorfi, sulmuesi i fuqishëm dhe golashënues i ekipit Dinamo në vitet 1960 -70’.

Një sulmues tipik dinamovit, ku mbizotëronte inteligjenca, përgatitja e lartë fizike dhe loja kolektive.

Në kampionatet kombëtare të sezonit 1963-1964; 1966-1967, ai është shpallur golashënuesi më i mirë i atyre kampionateve, duke u dalluar edhe në ndeshjet ndërkombëtare dhe në Kampionatet Ballkanike.

Zoti Taip Çutrën që sot i akordojmë titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ është një nga futbollistët e dalluar të ekipit ‘Dinamo’.

Taip Çutra është futbollisti që u rrit në shkollën e futbollit të Dinamos, i cili pati fatin të stërvitet nga ikonat e trajningut të këtij ekipi dhe futbollit shqiptar, si Skënder Begeja, Zihni Gjinali dhe Skënder Jareci.

Zoti Çutra ka luajtur me shumë sukses në rolin e sulmuesit të majtë në ekipin ‘Dinamo’, duke fituar tituj kampionë, Kupa Republike dhe shumë trofe të tjerë.

Në vitin 1969 Çutra spikatur në mënyrë të shkëlqyer me ‘Dinamo’-n, në kupën Ballkanike.

‘Dinamo’ në këtë aktivitet u rendit në vendin e II-të në Kampionatin e Ballkanit, ku Çutra me 3 gola, u shpall golashënuesi më i mirë.

Ai ka qenë pjesë e Ekipit Kombëtar Shpresa, si edhe Ekipit Kombëtar Shqiptar, si një nga titullarët më të rëndësishëm të asaj kohe.

Jani Rama është portieri më jetëgjatë në historinë e futbollit të klubit sportiv ‘Dinamo’.

Ai dallohej për kërcyeshmërinë dhe pritjet spektakolare të tij, për disa vite me rradhë ka qenë kapiteni dhe shtylla e ‘Dinamo’-s, i cili përveç aftësive dhe rezultatit, ndikonte në çdo ndeshje në konsolidimin e skuadrës.

Kjo ishte një zgjedhje e zgjuar e trajnerit të madh dhe të paharruar të kësaj skuadre Zihni Gjinali.

Ai është dalluar në shumë ndeshje të Kampionateve Kombëtare dhe në aktivitetet për Kupën Ballkanike.

Jani Rama, ka qenë një portier i shquar i Ekipit tonë Kombëtar, ku është dalluar në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian.

Artur Çobani nisi aktivitetin e tij në futboll në skuadrën e qytetit të Lushnjes, ai ishte një lojtar i talentuar dhe që në ndeshjen e parë me ‘Traktorin’’ shënon në portën e legjendës Jani Kaçi duke i dhënë fitoren ekipit të Traktorit.

Ai do të bëhet pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre dhe golashënuesi më i mirë, për një kohë të gjatë.

Artur Çobani ka qenë lojtar i ekipeve kombëtare të të rinjve dhe Shpresa-ve me të cilët realizoi 15 ndeshje ndërkombëtare.

Në vitin 1979 Çobani do të bëhet pjesë e skuadrës së ‘Dinamos’ me të cilën do të realizojë edhe sukseset më të rëndësishme të tij si futbollist duke u shpallur kampion Kombëtar, fitues i Kupës së Republikës, fitues i Kupës së Spartakiadës Kombëtare, fitues i medaljes së Artë të Spartakiadës.

Në sezonin e parë me ‘Dinamon’ ai shpallet golashënuesi më i mirë i ‘Dinamos’ me 9 gola, përkrah 3-shes së famshme Përnaskës, Zërit dhe Ballgjinit.

Në ndeshjet ndërkombëtare me ekipin Shpresa dhe ‘Dinamo’, Çobani realizon 7 gola.

Aleko Bregu mesfushori dinamovit, por edhe në role të tjera, që ka luajtur me shumë sukses në vitet 1975-1984, si lojtar i Dinamos ka fitur 2 tituj Kampionë të Shqipërisë, por edhe fitues i Kupës së Republikës.

Ai, ka qenë dhe lojtar i “Shpresave” dhe i Ekipit Kombëtar, autor i golit me shpresat me ish-Jugosllavinë, në barazimin 1-1.

Gjithashtu është dalluar edhe në 2 ndeshjet me Ekipin Kombëtar Shqiptar ne Austri.

I suksesshëm ka qenë në ndeshjet ndërkombëtare me Dinamon kundër Aberdin-it, Ajaks-it, Kaizarsjen-ës.

Pas viteve 2000-të ai vazhdoi punën e tij si trajner i përkushtuar per disa vite.

Shembulli dhe sukseset tuaja, e gjithë këtyre personaliteteve kanë qenë dhe janë të çmuara, jo vetëm për ekipin e “Dinamos”, por dhe të paharruara për gjithë futbollin shqiptar.

Dua të falënderoj familjet tuaja që ju kanë mbështetur në këto sfida, si dhe të
shpreh besimin qe ju, duhet të vazhdoni ta ndihmoni ‘Dinamo’-n, që vetëm të ketë rritje dhe të jeni shembull frymëzimi për të rinjtë, që të ecin në rrugën e suksesit në këtë sport më të magjishmin dhe më popullorin.

Ju faleminderit!”