20 Janar 2021 Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Mjeshtër i Madh” volejbollistin e spikatur dinamovit, z. Enis Terihati
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” volejbollistin e spikatur të “Dinamo”-s dhe Ekipit Kombëtar, z. Enis Terihati, me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe mjeshtërinë në arritjen e rezultateve të larta me ekipin e volejbollit ‘Dinamo’ dhe Ekipin Kombëtar. Lojtar i dalluar në suksesin më të madh të ‘Dinamo’-s, duke u renditur në katër skuadrat më të mira të Europës. Pedagog i përgatitur, i dashur dhe i respektuar; shembull dinjiteti i qytetarit të kulturuar”.
Në përshëndetjen e Tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të volejbollit dhe sportit shqiptar, Kreu i Shtetit u shpreh:
“E konsideroj një privilegj të nderoj sot një figurë të shquar të një sporti dhe një skuadre të suksesshme në volejboll si “Dinamo” e madhe.
Profesor Enis Terihati ka një kontribut të shquar në zhvillimin dhe rezultatet e ekipit të volejbollit “Dinamo”, por edhe Ekipit Kombëtar. Ai e ka nisur karrierën e tij sportive në vitin 1961 për t’u bërë titullar i ekipit të madh të “Dinamos” në vitet 1966 – 1980.
Enis Terihati ose siç e quanin në sportin e volejbollit Niska, ka qenë një lojtar jashtëzakonisht i kompletuar dhe tepër me autoritet.
Në ato vite, ai i përkiste volejbollistëve shtatlartë, të rrallë në volejbollin e asaj kohe.
Ai karakterizohej nga një inteligjencë sportive, që kishte lidhje me kulturën familjare dhe me formimin e tij intelektual.
Një lojtar që nuk shfaqte në lojë emocione negative, i qetë, i saktë dhe i përgatitur për çdo situatë.
Një lojtar i spikatur sidomos në lojën nga qendra me topin e shkurtër, sa ky element përbënte një çelës individual suksesi për skuadrën e madhe “Dinamo”, por edhe për Ekipin Kombëtar.
Ai gjithashtu ka qenë një lojtar bllokues i shkëlqyer, sa çdo kundërshtar duhet t’i bënte mirë llogaritë përballë tij.
Por një nga cilësitë e domosdoshme në lojën e tij ishte karakteri gjithmonë pozitiv dhe sjellja e tij në frymën e skuadrës.
Ka qenë dhe mbetet një shembull i lojtarit Fair – Play pavarësisht nga zhvillimet e ndeshjes. Korrekt me arbitrat dhe i dashur për tifozët dhe sportdashësit e volejbollit.
Ai ka qenë titullar i “Dinamo”-s së madhe në vitin 1972 kur ajo u rendit në 4 skuadrat më të mira të Europës, që do ta ëndërronim sot, të përsëritej për çdo skuadër shqiptare.
Po kështu ka qenë titullar i “Dinamos” në fitimin e 15 titujve kampion dhe 9 herë të Kupës së Republikës.
Profesor Niska numëron mbi 40 ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar dhe mbi 100 ndeshje ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore me ekipin “Dinamo”.
Duke e uruar ish-profesorin tim në shkollën e mesme ‘Sami Frashëri’, dua t’i përcjell vlerësimet më të mira edhe trajnerit legjendar të “Dinamos”, mjeshtrit të madh Vangjel Koja, i cili me pasionin dhe punën e tij të palodhur ka arritur të formojë volejbollistë të këtij kalibri, por edhe shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve na nderojnë sot, por edhe të tjerë që nuk kanë pasur mundësi për arsye të kufizimeve, që të jenë sot të pranishëm.
Faleminderit!”