Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” sociologun dhe politilogun e spikatur, z. Gëzim Tushi

Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” sociologun dhe politilogun e spikatur, z. Gëzim Tushi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” sociologun dhe politologun e spikatur, zotin Gëzim Tushi, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj vlerave të çmuara në fushën e sociologjisë, politologjisë dhe në jetën shoqërore shqiptare. Në vlerësim të meritave si studiues, vëzhgues, analizues i kujdesshëm dhe objektiv i transformimeve me natyrë politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shoqërisë shqiptare, veçanërisht në tre dekadat e fundit. Si kontribues në fushën e botimeve, publikimeve, debateve publike, diskutimeve akademike, i cili ka spikatur nëpërmjet veprimtarisë qytetare dhe intelektuale në ndihmë të njerëzve me nevoja të veçanta psikosociale.”

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, gjatë së cilës u shpreh:

“I lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë aktiv të tre dekadave të fundit, sociologun Gëzim Tushi, një intelektual i shquar, me kontribute të afirmuara në fushën e sociologjisë, politologjisë dhe në jetën shoqërore shqiptare.

Ai është një nga figurat me aktivitet të pandërprerë, intelektual aktiv dhe i përfshirë në mënyrë intensive në debatet e gjëra publike, diskutimet akademike e politike.

Kontributi i zotit Tushi është i dukshëm, sidomos në ofrimin e ideve për zgjidhjen e problemeve sociale dhe të orientimit të shëndetshëm të individit, çështje që shqetësojë shumë shoqërinë tonë sot.

Ai është studiues këmbëngulës, dhe vëzhgues i hollë i problematikave të tranzicionit social dhe dukurive komplekse të shoqërisë shqiptare të viteve të demokracisë.

Sociologu Tushi ka analizuar me kujdes dhe objektivitet ndryshimet dhe transformimet pozitive të shoqërisë shqiptare, por edhe problematikat dhe devijimet morale e konceptuale të saj, në 30 vitet e fundit, duke evidentuar shkaqet me natyrë politike, ekonomike dhe sociale e kulturore.

Disa nga temat për të cilat zoti Tushi është përkushtuar me këmbëngulje të madhe janë: tema e gruas shqiptare, betejat gjinore, progresi, arritjet, por edhe dështimet e këtij problemi madhor e tejet shqetësues të shoqërisë shqiptare; Familja shqiptare, funksionimi dhe mosfunksionimi i saj, mënyra e edukimit të fëmijëve dhe investimi për një familje të shëndetshme, me qëllim pasjen e një shoqërie të tillë.

Gëzim Tushi është investuar intensivisht në debate publike, konferenca shkencore apo diskutime akademike që janë zhvilluar në këto tre dekada, duke dhënë kontributin e tij të shquar në mendimin politik e sociologjik shqiptar.

Ndërkohë zoti Tushi është edhe një sociolog dhe mendimtar me krijimtari shumë të gjërë në fushën e botimit dhe publikimeve mediatike.

Autor i 20 librave, apo afërsisht 10 mijë faqe krijimtari, në politologji e sociologji, që ai ka shkruar qindra e qindra artikuj teorikë, politikë e socialë, pothuajse në të gjitha organet e shtypit periodik.

Gëzim Tushi është një nga personalitetet e jetës publike me kontribute në rubrika, emisione e debate radio-televizive, ku ka qenë protagonist me qindra herë, në trajtimin e temave sociale, politike apo ekonomike.

Ngjarjet e dy viteve të fundit bënë që sociologu Gëzim Tushi të përqëndrohej në dy aspekte kryesore: efektet e pandemisë COVID-19 në jetën sociale, në punë, shkollë, marrëdhënie, traditat e zakonet e jetës, si dhe në analizën e gjërë të fenomenit shqetësues të krimit dhe vetëvrasjes në Shqipëri.

Brenda vitit, panë dritën e botimit dy libra me vlerë: ‘Pandemia ose asgjë nuk do të jetë si më parë’ si dhe libri tjetër ‘Pse vriten dhe vetëvriten shqiptarët?’.

Aktiviteti i sociologut Tushi, si qytetar dhe intelektual është i gjërë në jetën e përditshme, duke patur lidhje dhe bashkëpunime të vazhdueshme sociale e komunitare.

Është i pranishëm kudo ku e kërkojnë për të zhvilluar tema sociale, ligjërata sociologjike, për të shtjelluar idetë, njohuritë sociale dhe paradigmat e sjelljes së qytetëruar, në takime publike të gjera, në shkolla, universitete, institucione publike apo private.

Zoti Gëzim Tushi ka shfaqur gjithmonë gatishmërinë dhe ka ndihmuar shumë njerëz me nevoja specifike psikosociale.

Ai ka këshilluar dhe ka orientuar shumë qytetarë në drejtime të tilla si, edukimi i fëmijëve, shqetësimet e jetës martesore, shkaqet e zgjerimit të divorcit, lufta kundër krimit dhe patologjitë të tjera, me të cilat përballet çdo ditë shoqëria jonë.

Jam i bindur, që sociologu Gëzim Tushi do të vazhdojë të japë një kontribut të qënësishëm për shoqërinë shqiptare edhe në vitet dhe dekadat në vazhdim”.