Presidenti i Republikës autorizon bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes

Presidenti i Republikës autorizon bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes

Me qëllim informimin e opinionit publik dhe në interes të transparencës, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta autorizon bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me propozimin për emërimin e zotit Lleshaj ministër të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se nuk mund të ketë asnjë institucion funksional jashtë një Kushtetute funksionale.

 

Lënda:                  Kërkesë për informacion shterues për pozitën e ushtarakut Sandër Lleshi (Lleshaj).

Drejtuar:              Znj. OLTA XHAÇKA

                              MINISTËR I MBROJTJES

 Për dijeni:           Z. Gramoz RUÇI

                                KRYETAR I KUVENDIT

 Për dijeni:           Z. Edi RAMA

                              KRYEMINISTËR

                              TIRANË

 

E nderuar Znj. Ministre,

Presidentit të Republikës, sot më datë 9.11.2018, i është paraqitur sërish propozimi i Kryeministrit për emërimin e z. Sandër Lleshaj në detyrën e ministrit të Brendshëm.

Ky propozim është përcjellë me shkresën e Kryeministrit nr. 5211 prot, datë 09.11.2018 dhe shoqërohet me një relacion shpjegues (dy fletë e panënshkruar) dhe CV-në, e kandidatit, akte këto me të cilin Kryeministri mbështet propozimin e Tij.

Duke qenë se, kandidatura e z.Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues, është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1, të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.

Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.

Megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të.

Për më tepër, që në njoftimin fillestar të Kryeministrit në rrjetet sociale të datës 27 tetor 2018, por dhe në dalje të tij publike, z. Sandër Lleshaj propozohet për emërin si ministër i Brendshëm, duke e trajtuar atë me gradën “Gjeneral”.

Në këto kushte Presidenti i Republikës në zbatim të nenit 92/h, vlerëson të domosdoshme paraqitjen e një informacioni shterues mbi pyetjet e parashtruara, si dhe të dhëna me shkrim për çështjet si më poshtë:

  1. Çfarë veprimesh proceduriale dhe materiale janë kryer nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm për ekzekutimin e Vendimit të formës së prerë nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Administrativ, vendim ky që ka trajtuar pretendimet e z. Sandër Lleshi?
  2. A ka ushtruar Ministria e Mbrojtjes të drejtën e kundërshtimit, duke ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër Vendimit nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Adimistrativ dhe nëse po, cilat janë arsyet që Ministria e Mbrojtjes ka kundërshtuar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë? Nëse po, lutemi paraqitjen e kopjes të rekursit të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes në Gjykatën e Lartë.
  3. A jeni në dijeni nëse z. Sandër Lleshaj, ka ushtruar të drejtën e kundërshtimit duke paraqitur Kundër Rekurs, për të kundërshtuar Rekursin e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes në Gjykatën e Lartë dhe nëse po, cilat janë arsyet dhe pretendimet të parashtruara në këtë kundër-rekurs të z. Sandër Lleshi që ka kundërshtuar rekursin e Ministrisë së Mbrojtjes? Nëse po, kërkojmë paraqitjen e një kopje të këtij akti.
  4. A ka kryer Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm i FA, veprime për ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës së Apelit Administrativ, përsa i takon trajtimit financiar sipas dispozitivit të vendimit, ku gjykata urdhëron: “Detyrimin e palës së paditur Ministria e Mbrojtjes t’i paguajë paditësit Sandër Lleshi pagën nga data 29.05.2013, deri në datën e sistemimit të paditësit në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithsëm të FA, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban”? Cili është niveli i ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor deri në ditët e sotme?
  5. A ka qenë në dijeni ministria e Mbrojtjes gjatë shqyrtimit gjyqësor se z.Sandër Lleshaj, ndërkohë që zhvilloheshin proceset gjyqësore, ishte i emëruar si Këshilltar i Kryeministrit?
  6. A është ekzekutuar nga Ministria e Mbrojtjes vendimi i Gjykatës përsa i takon shlyerjes së shpenzimeve gjyqësore?
  7. A ka parashtruar z. Sandër Lleshaj, ndonjë kërkesë personale apo nëpërmjet Shërbimit Përmbarimor për vënien në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, dhe nëse po, lutemi përcjelljen e një kopje të kësaj kërkese së bashku me dokumentacionin e plotë?
  8. A ka parashtruar z. Sandër Lleshaj, ndonjë kërkesë në lidhje me trajtimin e tij financiar në zbatim të vendimit të Gjykatës dhe taksimin e kësaj të ardhure, nisur nga fakti që ai trajtohej financiarisht me pagë dhe si Këshilltar i Kryeministrit? Nëse po, cili është qëndrimi që është mbajtur në lidhje me këto kërkesa, dhe cila është zgjidhja që ka dhënë Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm i FA, në lidhje me këtë çështje ?
  9. Si ka vlerësuar dhe si parashikon Ministria e Mbrojtjes ekzekutimin e vendimit gjyqësor me të cilin Gjykata e Apelit Administrativ, urdhëron: “Kthimin e paditësit Sandër Lleshi në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithsëm të FA, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban”?
  10. A ka patur ndonjë komunikim apo praktikë administrative shkresore midis Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm me institucionin e Kryeministrit në funksion të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ nr.5137, datë 07.12.2017, përsa i takon rikthimit në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban, për të njehsuar funksionin që z. Sandër Lleshaj mbante si Këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare që prej vitit 2013 e në vijim në zbatim të vendimit të gjykatës? Nëse po, cili është qëndrimi që është mbajtur nga institucionet respektive dhe vënien në dispozicion të akteve respektive?
  11. A ka patur ndonjë komunikim, apo praktikë të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes me institucionin e Presidentit të Republikës, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ nr.5137, datë 07.12.2017?
  12. Me çfarë akti z. Sandër Lleshaj, ka kaluar në lirim, apo në rezervë në Forcat e Armatosura, pas daljes së vendimit nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Administrativ dhe përpara paraqitjes së propozimit të Kryeministrit, për emërimin e tij në detyrën e ministrit të Brendshëm?  Nëse e dispononi, lutemi vënien në dispozicion të këtij akti!
  13. Cili është vlerësimi i ministrisë së Mbrojtjes, për zbatimin në tërësi të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ nr. 5137, datë 07.12.2017 tashmë pas emërimit të z. Lleshi si Zëvendësministër i Brendshëm apo në rast të emërimit të tij si ministër i Brendshëm!
  14. Në kërkesën e Kryeministrit propozohet që z. Sandër Lleshaj të emërohet ministër i Brendshëm. Ndërkohë konstatohet se në vendimet gjyqësore mbi këtë ushtarak, të dhënat personale të tij paraqiten me mbiemër Lleshi. Lutemi sqarimin e këtij fakti, kur janë bërë këto ndryshime në të dhënat personale dhe si është reflektuar kjo në dosjen personale të këtij ushtaraku?
 

Duke vlerësuar shumë të rëndësishme këtë çështje, Presidenti i Republikës, në cilësinë dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon bashkëpunimin e plotë nga ana juaj për paraqitjen sa më parë të këtyre shpjegimeve dhe dokumentacionit të kërkuar, të cilat duhet të jenë shteruese, në mënyrë që vlerësimi i këtij propozimi të ri të Kyeministrit, të kryhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi.

Me respekt

Ilir Meta

Klikoni edhe në këtë link për shkresën zyrtare :

]]>