20 Korrik 2018 Presidentja e Kroacisë, Grabar-Kitarović viziton qytetin e lashtë të Krujës
Presidentja e Kroacisë, Sh S. Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, në ditën e tretë të qëndrimit në vendin tonë me ftesë të Presidentit Meta, nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar edhe qytetin e lashtë të Krujës, kalanë e famshme dhe pazarin e vjetër të qytetit.
Gjatë kësaj vizite shtetërore të kreut të shtetit kroat, që përkon edhe me Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Presidentja Grabar-Kitarović, duke vizituar muzeun e Krujës, vuri në dukje lidhjet e hershme historike e të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, duke nënvizuar sidomos faktin mjaft domethënës se Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe i biri, Gjoni, u shpallën “Qytetarë Nderi” të Republikës së atëhershme të Raguzës (Dubrovniku i sotëm).
Presidentja Grabar-Kitarović u njoh më nga afër me historinë e kryeqendrës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si dhe me zakonet, traditat dhe punimet artistike të banorëve të zonës.
]]>