Prof. Dr. Bamir Topi

Lindi në Tiranë më 24 prill 1957 në një familje autoktone tiranase me tradita intelektuale e qytetare.

Pas përfundimit me rezultate të larta të studimeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, Prof. Dr. Bamir Topi nisi punën në Petrelë, në Tiranë, ku spikati për përkushtimin dhe aftësitë e tij në fushën e Toksikologjisë dhe Farmakologjisë. Në vitin 1984 emërohet bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Shkencore Veterinare, ku qëndroi deri në vitin 1995. Në vitet 1987-1990 kreu studimet pasuniversitare në Itali në fushën e Biologjisë molekulare, studime që i përfundon me marrjen e gradës Doktor i Shkencave. Pas kthimit nga Italia, u emërua Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë, pozicion që e mbajti deri në fund të vitit 1995.

Krahas punës si kërkues shkencor, Prof. Dr. Bamir Topi ka kryer edhe një aktivitet të ngjeshur akademik, në përgatitjen e programeve mësimore të Lëndës së Toksikologjisë dhe Farmakologjisë për studentët dhe pasuniversitarët e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; ka qenë gjithashtu lektor i këtyre lëndëve për një periudhë gati dhjetë vjeçare. Z. Bamir Topi merr titullin Profesor në vitin 1995. Krahas aktivitetit shkencor e pedagogjik, Bamir Topi ka edhe një aktivitet të gjerë politik, i cili daton që me fillimet e lëvizjes demokratike në vitin 1990. Në vitin 1996 u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe u emërua Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit deri në vitin 1997, kur Partia Demokratike kaloi në opozitë.

Bamir Topi është zgjedhur tri herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dy herë N/Kryetar i Partisë Demokratike dhe Kryetar i Grupit të saj Parlamentar.

Zoti Topi ka spikatur duke u vlerësuar si një politikan me profil të moderuar, mjaft aktiv në zgjidhjen e krizave politike mes pozitës e opozitës dhe protagonist i marrëveshjeve politike e i nismave të ndryshme parlamentare.

Z. Bamir Topi ka qenë vazhdimisht i pranishëm në mass median shqiptare e të huaj me qëndrimet e tij konstante dhe koherente me realitetet e ndryshme të vendit.

Prof. Dr. Bamir Topi mori detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 24 korrik 2007, mandat të cilin e mbajti deri më 24 korrik 2012. Pas mbarimit të mandatit si President i Republikës, aktualisht është rikthyer në politikën aktive.  Prof. Dr. Bamir Topi është i martuar dhe ka dy vajza.