Prof. Dr. Sali Berisha
Lindi më 15 tetor 1944 në Tropojë. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë në vitin 1967. Pasi përfundoi me sukses studimet e avancuara në Paris, në Francë, drejtoi një program kërkimor në Hemodinamikat. Më 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Evropian për Kërkime në Shkencat Mjeksore. Gjatë viteve të mësimdhënies në UT në vitet 1980- 1990, Sali Berisha publikoi libra studimorë, tekste universitare dhe shumë artikuj shkencorë në fushën e kardiologjisë brenda dhe jashtë vendit. Zoti Berisha mban titullin shkencor “Profesor Doktor”.
Karriera politike e Prof. Dr. Sali Berishës nisi me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Më parë ai u bë i njohur me kritikat e tij publike ndaj sistemit të vjetër dhe kërkesën për demokratizim të vendit. Më 1991 Sali Berisha u zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike, për t’u rizgjedhur edhe më 1997-ën e në vazhdim. Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë më 1991, 1992, 1997, 2001, 2005 dhe 2009.
Pas fitores në zgjedhje të koalicionit opozitar të drejtuar prej tij, Prof. Dr. Berisha më 9 prill 1992 u zgjodh President i Republikës, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997. Dha dorëheqjen nga posti i Presidentit një muaj pas humbjes në zgjedhje të PD-së dhe fitores së koalicionit të majtë.
Zoti Berisha është i martuar me znj. Liri Berisha dhe kanë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.
Prof. Dr. Sali Berisha zotëron gjuhët angleze, frënge, italiane dhe ruse.