Prononcim për median i Presidentit Meta

Prononcim për median i Presidentit Meta

Pyetja: Zoti President, si e vlerësoni vendimin e KLGJ-së për t’i marrë një opinion EURALIUS-it dhe OPDAT-it për qëndrimin ose jo në detyrë të zotit Dvorani?

Presidenti Meta: E kam dhënë një përgjigje për këtë çështje…

Pyetja: Meqenëse jemi shumë media…

Presidenti Meta: E kam dhënë një përgjigje për këtë çështje. Është një përgjegjësi që i mbetet vetëm KLGJ-së dhe askujt tjetër.

Pyetja: Si e komentoni vendimin për të shtyrë zgjedhjet në Universitete një ditë pas apelit tuaj?

Presidenti Meta: Është një vendim i arsyeshëm dhe besoj që ishte i pritshëm, sepse në një periudhë të vendosur nga Parlamenti si të fatkeqësisë natyrore, sigurisht që ishte jo e mundur për të patur zgjedhje tërësisht përfshirëse dhe demokratike, siç duhet ta meritojnë Universitetet tona.

Pyetja: Zoti President një koment tuajin, sot hyjnë në fuqi edhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat ju i keni dekretuar. Mesazhi juaj?

Presidenti Meta: Mesazhi im është të gjithë të bëjnë detyrën e tyre me përgjegjësi. Qeveria, Ministria e Shëndetësisë në veçanti, Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykatat, të nxjerrin të gjitha aktet nënligjore dhe të gjitha udhëzimet në frymën e ndryshimeve, që u bënë në Kodin Penal, të cilat janë më të avancuara në kontinent sipas standardeve daneze.

Pra, nuk mjafton vetëm formulimi i këtyre ndryshimeve, standardeve në Kodin Penal, por duhet edhe e gjithë kolona e akteve të tjera ku ato do të mbështeten të jetë në këtë frymë.

Në mënyrë që t’i shërbejë atyre qëllimeve, të cilat synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë nga sëmundje të tilla të rrezikshme në periudha të tilla të paparashikueshme.

Pyetja: Zoti President, Partia Demokratike ka ngritur sot shqetësimin se qeveria po përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të kufizuar liritë themelore të njeriut. A ndani dhe ju të njëjtin shqetësim që ka Partia Demokratike?

Presidenti Meta: Lidhur me çështjen e protestave, tubimeve, apo manifestimeve më duhet të theksoj se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në mënyrën më të qartë këtë të drejtë themelore, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash dhe kushtesh.

Kjo është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet.

Duke qenë se jemi në një situatë të veçantë, pra jo në një situatë të zakonshme, duhen marrë të gjitha masat, jo që të ndalohet, por të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social apo fizik, të ruajtjes së sigurisë edhe të atyre që dëshirojnë të organizojnë një manifestim dhe duhet të jenë gjithmonë paqësore.

Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar në çdo kohë, unë shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë!

Pyetja: Zoti President, keni marrë pjesë në shumë seanca të dhurimit të gjakut gjatë vitit të fundit, por edhe gjatë muajit mars. Nuk jeni i shqetësuar që keni humbur shumë gjak?

Presidenti Meta: Dhurimi i gjakut, është e rëndësishme t’u bëhet e qartë të gjithëve, është një proces shumë i shëndetshëm për atë që dhuron, jo vetëm nga ana morale, që ndihet mirë, sepse kontribuon për të ndihmuar jetën e një qytetari, të një fëmije. Por, është edhe një proces që të zbukuron. Nëse e vutë re ato vajzat që po dhuronin aty ishin jashtëzakonisht të bukura, sepse dhurojnë çdo 3 muaj gjak. Kështu që nxitoni!