12 Korrik 2022 Prononcim për mediat i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta
Do të doja tërhiqja vëmendjen e opinionit publik për një zhvillim jo të pazakonshëm nga Kuvendi i Shqipërisë, ku Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, për çështjen e Butrintit, që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike dhe me identitetin tonë kombëtar, që na risolli edhe një herë një sjellje tërësisht arrogante në raport me konsultimin, në raport me dëgjesën ndaj ekspertëve të fushës dhe të shoqërisë civile, të cilët u përjashtuan sot në një mënyrë tërësisht brutale.
Ky zhvillim tregon qartë se, deputetët që kanë vepruar në këtë mënyrë janë tërësisht të diktuar politikisht, për të ecur përpara drejt skenarit të rrezikimit të njërës prej pasurive më të çmuara kulturore dhe kombëtare, siç është Butrinti. Kjo vetëm për arsye tërësisht të errëta, korruptive dhe ndoshta me motive dhe më të thella sesa kaq, pse jo dhe ç’kombëtarizuese.
Sepse nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, por kemi të bëjmë me një vazhdimësi sistematike të goditjes së trashëgimisë kulturore, jo vetëm në Tiranë dhe në Durrës, por tashmë edhe në Butrint dhe në shumë zona të tjera të vendit tonë.
Ndaj do të dëshiroja dhe do të uroja që deputetët në seancë plenare t`i dëgjojnë dhe t`i lexojnë të gjitha argumentet në Dekretin përkatës, që kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës dhe të vetë Preambulës së saj, me shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku Shqipëria aderon dhe me shumë akte të tjera, që demonstrojnë paligjshmërinë dhe mungesën totale të transparencës së një iniciative të tillë.
Dua dua të ndalem gjithashtu tek skandali i inceneratorëve, konkretisht në lajmet e fundit, që na bënë me dije se përveç pensionistëve që janë në azile, por që figurojnë në mënyrë të paditur të përfshirë në veprime që kapërcejnë mbi 30 milion euro;
përveç çobanët që janë në Greqi me rrogë 300 euro, që figurojnë me veprime të pakryera, me miliona euro këtu; për fat të keq, për të kuptuar dramaticitetin dhe imoralitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie, e cila është babëzia e shekullit, dje u zbuluan fakte edhe për një qytetare të ndjerë e cila është ndarë nga kjo botë, të paktën përpara 5-vitesh, por në emrin e të cilës dhe me firmën e saj gjatë këtyre viteve, janë kryer transaksione prej mbi 5-6 milion eurosh.
Kjo është tronditëse!
Një vend, një shtet, një Qeveri, që deklaron se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit, se nuk kemi lekë për të blerë një avion apo një helikopter për shuarjen e flakëve që përfshijnë çdo verë pyjet më të bukura të Shqipërisë, që ka kërcënuar Llogaranë vit pas viti, dhe që këtë vit pushtoi edhe të vetmin ishull që kemi, ishullin e Sazanit, ndërkohë në sytë e të gjithë opinionit publik, shohim një situatë kaq të rëndë të korrupsionit, kaq flagrante, që është edhe më poshtëruese, për çdo qytetar të këtij vendi.
Kur shikojmë se në këtë kohë krize, ku duhet rritur mbështetja për qytetarët më në nevojë, për problemet dhe për shqetësimet e tyre më imediate, që nga mbrojtja e shëndetit e deri tek problemet e tjera që kanë të bëjnë me përballimin e minimumit jetik, shohim që askush nuk mban përgjegjësi.
Shikojmë që prej vitesh, bëhen veprime të tilla, dhe këto veprime bëhen në banka.
Çfarë është ky sistem bankar, që pranon firma të tilla? Firma të njerëzve që nuk jetojnë apo firma të njerëzve që janë nëpër azile.
Çfarë është kjo Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), që pranon të bëjë veprime të tilla?
Çfarë janë këta noterë që bëjnë veprime të tilla?
Ku është Krimi Ekonomik?
Ku është Institucioni i Pastrimit të Parave?
Kush mban përgjegjësi për këto skandale, që jo vetëm nuk mbarojnë, por vetëm thellohen?
Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve, që nga inceneratori i Tiranës e kudo tjetër?
Kur dihet që të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit dhe të askujt tjetër dhe për më tepër që janë paratë e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Është situatë tepër dramatike!
Ftoj edhe Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje, sepse është e qartë që ende nuk ka filluar as maja e ajsbergut në aferën e shekullit të inceneratorëve.
Të evidentohet përveç shumë aferave të tjera, të cilat janë pa mbarim, siç pa dyshim është dhe rasti më i fundit, edhe afera e Butrintit.
Sepse vetëm një aferë mund të detyrojë një Komision Parlamentar, apo një Kuvend, apo një Qeveri, që të shkelë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimshme Kushtetutën, të vërë dorë mbi trashëgiminë kulturore dhe të nxjerrë jashtë artistët, arkeologët, specialistët, shoqërinë civile, ashtu sikurse e keni parë edhe ju sot.
Faleminderit!