Prononcim i Presidentit Meta në Durrës

Prononcim i Presidentit Meta në Durrës

Durrës

Pyetje: Zoti President çfarë mund të na thoni për situatën politike në vend?

Presidenti Meta: Situatë më absurde nuk kemi parë.

Padyshim që zhvillimet me Teatrin Kombëtar janë mjaft shqetësuese.

Për to jam shprehur qartë, në mënyrë koherente e të vazhdueshme, si dhe përmes padisë që bëra në Gjykatën Kushtetuese.

Por ajo që na shqetëson më shumë është ky teatri i madh politik, absurd, që dërrmon Shqipërinë të çelë negociatat më 17-18 tetor 2019.

Prandaj edhe njëherë u bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre “Artistëve” që t’i japin fund këtij absurdi!

Të marrin masa për zbatimin e dekretit për zgjedhjet vendore më 13 tetor, sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, të kenë një qeverisje vendore të ligjshme dhe që u garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre.

Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet vendore në atë datë nuk besoj se zgjidhin gjithçka, por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm.

Në radhë të parë, ky është një detyrim për kryeministrin, që të heqë dorë nga trysnitë dhe shantazhet ndaj të gjitha institucioneve të tjera, duke penguar zbatimin e këtij dekreti, dhe padyshim është përgjegjësi e të gjithë të tjerëve për t’u bërë gati që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 13 tetorit.

Po kështu, sot unë kam formalizuar edhe një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, i cili vizitoi dje Tiranën, por edhe Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Ministrit të Jashtëm të Slovakisë dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, që kur Shqipëria përgatitet të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së – dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik, – të negociojë me të dyja palët këtu, për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate aspak të favorshme për të gjithë qytetarët tanë, por edhe të padenjë për një vend, që duhet të jetë një shembull për çështjen e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve demokratike, dhe të kontribuojë për rritjen e sigurisë në të gjithë hapësirën e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme.

Pyetje: Zoti President ka një bllokim të ndërrimit të mandateve pas zgjedhjeve vendore?

Presidenti Meta: Kam këmbëngulur prej shumë kohësh për një dialog të qëndrueshëm politik. Jo për diversion, jo për demagogji, sepse ky lloj dialogu nuk i duhet Shqipërisë, por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët, në mënyrë që të rivendoset normaliteti për rifunksionimin e institucioneve të demokracisë në vend.

Dhe njëkohësisht që të funksionojë kontrolli dhe balanca mes institucioneve të ndryshme dhe mbi të gjitha, llogaridhënia.

Sot kemi një Parlament që nuk jep llogari para askujt. Një shumicë që kontrollon gjithçka. Pra sot kemi një situatë kaotike në të gjitha drejtimet, dhe kjo është përgjegjësi e palëve politike në vend.

Asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse edhe opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme, shumë nga këto marrëzitë që kanë ndodhur në drejtim të përparimit të skenarit të kapjes së qartë të të gjitha institucioneve në vend.

Shqipëria nuk mund të ecë nëpër dy rrugë, që nuk takohen me njëra-tjetrën dhe nuk janë në interes të qytetarëve shqiptarë: Rruga e kapjes së institucioneve nga njëra anë, në mënyrë tërësisht jodemokratike. Dhe rruga tjetër, ajo e delegjitimimit të të gjitha institucioneve.

Ne kemi nevojë për një rrugë të përbashkët që është rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që është vullnet i të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar më tej këtë vullnet!