Prononcimi i Presidentit Meta në Korçë

Prononcimi i Presidentit Meta në Korçë

Presidenti Meta: Është kënaqësi për të takuar shumë qytetarë jo vetëm të Korçës, por edhe shumë qytetarë që kanë ardhur nga Kosova, që ishin sot këtu dhe që kishin zgjedhur Korçën në këtë ditë të bekuar për mbarë kombin tonë të 7 Marsit, në Ditën e Mësuesit, në Ditën e Mësonjëtores së Parë.

Pa asnjë diskutim që më 7 Mars të gjithë shqiptarët e kthejnë vështrimin nga Korça, nga historia, nga sakrificat e bëra nga Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, dhe aq shumë atdhetarë të jashtëzakonshëm në kushte shumë të vështira, të cilët jo vetëm mbrojtën dhe çuan përpara gjuhën shqipe, por njëkohësisht edhe përmbyllën me sukses atë mision të Rilindjes Kombëtare që ishte zgjimi dhe ndërtimi i shtetit shqiptar.

Pyetje: Zoti Meta, si e konsideroni ju largimin e figurave të vjetra të Partisë Socialiste nga lista e kandidatëve dhe afrimin e ekspertëve?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për asnjë parti. Vetëm kam një lutje: Ju lutem sa më shumë pedagoge dhe pedagogë! Sa më shumë të rinj të arsimuar dhe patriotë! Sa më shumë figura të pastra!

Dhe ju lutem shumë, sa më pak biznesmenë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë! Jo se kam diçka me biznesmenët, sipërmarrësit, por është e rëndësishme që në kuvendin e ardhshëm të kemi njerëz me integritet, që kanë të parin interesin publik, interesin kombëtar dhe interesin qytetar.

Nuk dua të hyj në emrat e përveçëm të asnjë partie.

Pyetje: Zoti Meta, nesër është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Si President i Republikës, a keni një mesazh për partitë politike?

Presidenti Meta: Mesazhin sapo e dhamë: Sa më shumë figura të ndritura dhe me integritet në mënyrë që e gjithë shoqëria të përfaqësohet ashtu siç e meriton në kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

E theksoj edhe një herë: Janë zgjedhje shumë të rëndësishme për 100 vite, sepse është një moment kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe ne e dimë se kryekushti i kësaj të ardhmeje evropiane ka qenë prej kohësh çështja e zgjedhjeve dhe tani mbeten edhe pak javë për të kaluar një test madhor dhe që jam i sigurt se do ta kalojmë me hir e me pahir, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale.

Pyetje: Zoti Meta, Presidenti i Republikës që lëviz me masa minimale sigurie. Çfarë do të thotë për ju?

Presidenti Meta: I kam kërkuar prej kohësh Gardës së Republikës që nuk kam nevojë për asnjë shoqërues, përveç se shoferit, sepse kuptohet që Presidenti edhe kur udhëton, është i detyruar të punojë dhe nuk mund t’i jap makinës, jo se…

Pyetje: Në qoftë se do t’i jepnit, do të lëviznit vetë?

Presidenti Meta: Në qoftë se do t’i jepja nuk do të isha në funksion të detyrës, sepse do të duhej të isha një shofer i përgjegjshëm, jo të bëja aksidente.

Pyetje: Zoti President, ju keni propozuar që edhe personat me Covid të votojnë. Çfarë propozoni ju që edhe ky problem të zgjidhet?

Presidenti Meta: E drejta kushtetuese për të votuar mbizotëron mbi çdo lloj pengese apo vështirësie. Ne e dimë se ky është një problem, por të mos harrojmë se Kosova ka bërë zgjedhje në kushte shumë të vështira edhe të pandemisë, edhe atmosferike! Edhe Maqedonia e Veriut gjithashtu ka bërë. Të gjejmë rrugën më praktike, e cila edhe ruan shëndetin e çdo qytetari, por edhe nuk privon asnjë qytetar që të shprehë vullnetin e tij në mënyrë demokratike dhe të qetë.

Çdo akt që del është në respekt të Kushtetutës. Nuk është për të kaluar në veprime, që praktikisht dhunojnë një të drejtë kushtetuese që është baza e sistemit që kemi zgjedhur të jetojmë, e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Pyetje: Zoti Meta, ju kanë akuzuar shpesh herë se keni dalë jashtë funksionit tuaj si President. Komenti juaj?

Presidenti Meta: Ky është një gjykim që i mbetet popullit për të bërë atë gjykimin final dhe unë ndihem shumë mirë në mes të popullit. Dhe kështu do të vazhdoj gjithmonë.