28 Shtator 2019 Prononcim i Presidentit Meta për Televizionin “Ora News”
Krujë
Gazetari: Për Festën e Ashures, një mesazh?
Presidenti Meta: Është një ditë e mrekullueshme, sepse lidhet edhe me Ditën Botërore të Turizmit. Dhe ku ka një vend më të përsosur dhe në harmoni, sa i takon turizmit natyror, turizmit historik dhe turizmit kulturor të besimeve se sa Kruja.
Aq më tepër që sot është edhe Dita e Ashures. Patëm kënaqësinë dhe privilegjin me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve për ta festuar së bashku, edhe me komunitetin e mrekullueshëm të Krujës.
Gazetari: Përveç Festës së Ashures dhe mesazhit që ju dhatë kemi interes t’ju pyesim edhe për çështjen e ditës që është opinioni i Komisionit të Venecias. Në fakt duhet të dilte nesër, por ka rrjedhur në shtyp që dje. A keni ndonjë koment?
Presidenti Meta: Kam zero koment për këtë çështje, sepse e kam shterruar me kohë edhe si President, por edhe si Institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore që i kemi bërë Kushtetutës, pluralizimit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës dhe sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Pra Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar e për të zgjedhur. Pra zgjedhje në kuptimin substancial të garantimit të rendit demokratik!
Jemi shumë të qartë për këtë çështje!
Lidhur me idenë e një drafti që ka ardhur, që ka dalë apo që ka rrjedhur në media, kjo është gjëja më e parëndësishme pasi në çastin që stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është apo do të vijë, sepse qarkullojnë me data të ndryshme, përsëri përgjigja e Institucionit të Presidentit do të jetë publike.
Edhe ky draft do të vihet në dispozicion të të gjithë qytetarëve. Në dispozicion të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias.
Por asnjë shqetësim apo më saktë shqetësimi zero, sepse Presidenti i Republikës ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe rendit demokratik dhe të plularizimit politik.
Gazetari: Zoti President, a i trembeni “Venecias”?
Presidenti Meta: Po si mund t’i trembet “Venecias” “Luani i Artë i Venecias”?! Të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurtë që “Luani i Artë i Venecias” të paktën për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik 2022…
Gazetari: Vazhdoni t’i qëndroni kësaj date?
Presidenti Meta: Po kjo është një gjë që ka përfunduar. Askush të mos lodhet kot! Të mos merret me datën 11, sepse data 11 nuk ekziston! Data 11 ekziston për ata, të cilët duan të zgjasin krizën, që duan të thellojnë krizën dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera që qytetarët i ndjekin.
Për Presidentin Meta ka vetëm një datë të rëndësishme: data 18 tetor. Në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi që të ecë drejt çeljes së negociatave dhe të plotësojë të gjitha ato detyrime që janë të qarta dhe të cilat nuk duhet të shtohen më.
Prandaj apeli im është që të përqendrohet për zgjidhjen e krizës politike dhe të marrin shembull që të gjithë nga Presidenti në respektimin e Kushtetutës e të parimeve të saj, të cilat janë të shenjta për mua!