5 Mars 2021 Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta në konferencën për shtyp
Pyetje: Partia Socialiste ka propozuar disa ligje të ndryshimeve të Reformës në Drejtësi, ligje të cilat prekin edhe ndryshime në Kushtetutë. Ju si rojtar i Kushtetutës a do t’i dekretoni? Edhe një pyetje tjetër: Si socialist i vjetër, si ju duket kandidimi i shefes së Infektivit dhe inxhinieres Bozo?
Presidenti Meta: Për çdo ligj që ka probleme kushtetuese apo edhe probleme ligjore, do të ketë një përgjigje të qartë shteruese.
Sa u takon kandidimeve të forcave të ndryshme politike, këto nuk janë në interesin tim.
Në interesin tim si President i Republikës, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve te përfaqësuesit e tyre, që ata të mbrojnë interesat e qytetarit, interesat e publikut, të mbrojnë interesat kombëtare në Kuvendin e ardhshëm, është shumë e rëndësishme që të jenë figura me sa më shumë integritet.
Dua të theksoj rëndësinë që qytetarët të shikojnë me vëmendje listat e çdo force politike që ata preferojnë, dhe njëkohësisht që ata të votojnë në ato lista për kandidatin apo kandidaten që ata besojnë se ka integritetin më të lartë për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvendin e ardhshëm.
Në këtë mënyrë do t’u japin një mesazh të qartë të gjithë kryetarëve dhe kryetareve dhe të gjitha forcave politike se cilët janë deputetët që ata vërtet duan dhe dëshirojnë t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.
Pyetje: Zoti President, me ndryshimet e fundit që janë bërë në Kodin Zgjedhor janë hequr koalicionet dhe për këtë arsye Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalin me lista të ndara, por ndërkohë kanë nënshkruar një koalicion politik. Ju, pas rezultatit të 25 prillit kë do të mandatoni për të formuar qeverinë: Partinë që ka më shumë mandate apo koalicionin, qoftë ai edhe vetëm politik që do të marrë më shumë mandate, që do të marrë më shumë vota nga zgjedhësit shqiptarë?
Presidenti Meta: Unë dua t’ju jap një përgjigje tepër parimore: Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Nuk janë vetëm dy, nuk janë vetëm tre, kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët shqiptarë të nisen drejt kutive të votimit dhe me qetësi të vendosin se kë do të zgjedhin dhe se kë do të ndëshkojnë.
Vota është një mjet për të zgjedhur. Është edhe një mjet për të ndëshkuar. Është e drejta e tyre të gjykojnë me shumë qetësi dhe objektivitet.
Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, tërësisht me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet.
Do të informojmë edhe më tej opinionin publik për të gjitha figurat që përfshihen te krimi zgjedhor, sepse janë shumë figura, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se nuk do të ketë asnjë tolerim për cilindo që përfshihet në një veprimtari të tillë.
Do të bëjmë çdo gjë për të pasur zgjedhje tërësisht demokratike dhe të ndershme, por e kuptojmë se jemi në kushtet kur ka një tension që është krijuar në mënyrë artificiale dhe pasi kemi pasur ndryshime të njëanshme, gjë që s’ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë.
Megjithatë pavarësisht nga këto, do të bëjmë çdo gjë që zgjedhjet të jenë plotësisht të ndershme dhe shpresoj që të gjithë të reflektojnë!
Por njëkohësisht padyshim që do të bëjmë çdo gjë për të ndëshkuar në mënyrën më të merituar cilindo që do të përpiqet jo thjesht të prekë një votë, por që do të përpiqet ta largojë Shqipërinë nga Europa e Bashkuar.
Ua kam thënë edhe më përpara dhe po e theksoj përsëri: Zgjedhjet janë kryekushti! – dhe mos besoni asnjë lloj propagande të gënjeshtër!
Të gjithë qytetarët, në mënyrën më të qetë, më civile, më europiane, të mos ndikohen nga asnjë lloj presioni, të mos ndikohen as nga situata e vështirë në të cilën ndodhen mediat, që është e pasqyruar edhe në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, edhe në të gjitha dokumentet ndërkombëtare, as nga sondazhet e oligarkisë për të krijuar idenë e mosndryshimit dhe të përjetësisë të kësaj lloj kënete!
Por të gjithë të kenë besim se vota e tyre është fuqia e tyre e vetme që kanë, reale, në demokraci!
Kjo mundësi nuk u jepet çdo ditë. Kjo mundësi u jepet një herë në katër vite, ndërkohë që zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme jo thjesht për katër vitet që vijnë, por janë, e theksoj, për 100 vitet që vijnë!
Që Shqipëria të fitojë kredencialet demokratike. Të jetë një vend i besueshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe pse jo, t’i arrijmë vendet e tjera që kanë qenë pas nesh përpara pesëmbëdhjetë vitesh dhe na kanë parakaluar. Dhe kjo do të jetë sfida më e madhe për të gjithë ne.
Të mos paragjykojmë rezultatet e zgjedhjeve!
Mund të ketë çdo lloj surprize, nuk duhet t’i ndalojmë surprizat! Duhet t’ua lemë në dorë qytetarëve dhe qytetareve të Shqipërisë!
Tani ka vetëm një gjë rëndësi: Vota e çdo qytetari të jetë e barabartë! Të shprehet e lirë, larg çdo lloj intimidimi dhe të informohen të gjithë për të gjitha figurat që përbëjnë krim zgjedhor, që u tha qartë edhe dje nga Parlamenti Europian se nuk do të tolerohet!