Lindi më 1925 në Shkodër. I diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Ramiz Alia ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila udhëhoqi Shqipërinë gjatë viteve 1944 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia kreu detyra të larta në drejtimin e PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.
Detyrat e tij më të rëndësishme ishin: Sekretar i Parë i KQBRPSH-së (1949- 1955), Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe Kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi zotin Ramiz Alia, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës, më 3 prill 1992 zoti Alia dha dorëheqjen nga posti i Presidentit.
Ramiz Alia ndërroi jetë më 7 tetor 2011.