Sqarim i Institucionit të Presidentit të Republikës

Sqarim i Institucionit të Presidentit të Republikës

Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se, gjatë ceremonisë solemne të organizuar sot me rastin e përkujtimit të Epopesë së Kodrës së Kuqe dhe dekorimit të Heronjve të saj, Titujt e Nderit u tërhoqën nga të afërm të Heronjve, emrat e të cilëve Institucioni i Presidentit i mori zyrtarisht nga Organizata e Dëshmorëve të Atdheut, të përfaqësuar nga z. Gjergji Velo.

Dekorata “Nderi i Kombit” e akorduar për Heroin e Popullit, Vojo Kushi, u tërhoq nga z. Vasil Kushi, i afërm i Tij.

Saktësojmë se, edhe ky person është konfirmuar zyrtarisht nga Organizata e Dëshmorëve të Atdheut, e përfaqësuar nga z. Gjergji Velo, konform procedurave.

Institucioni i Presidentit të Republikës e kupton shumë mirë se përkujtimi i këtyre ngjarjeve dhe datave të rëndësishme historike i shqetëson të gjithë ata të cilët duan të denigrojnë, jo vetëm të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, por edhe të gjithë luftëtarët dhe heronjtë që sakrifikuan jetën e tyre për Atdheun dhe lirinë.

Hedhim poshtë me përçmim lajmet e rreme dhe dashakeqëse të mediave të caktuara, që kanë në axhendë të tyre fushatën e Rilindjes për të denigruar vlerat tona kombëtare dhe për të spostuar vëmendjen nga problemet kryesore që vuan sot vendi, për shkak të keqqeverisjes.