Sqarim i Këshilltarit për Mediat dhe Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi

Sqarim i Këshilltarit për Mediat dhe Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi

Në përgjigje të interesimit të mediave BalkanWeb, News 24, Ora News, ABC, Syri TV, Panorama Online, Euronews Albania, Klan News, gazeta Standard, si dhe në sqarim të opinionit publik, bëjmë me dije se:

Propozimi i Kryeministrit dhe kërkesa për dorëheqje e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga detyra dhe lirimin nga shërbimi aktiv është administruar në Tiranë, është shqyrtuar nga stafi i Presidentit të Republikës në Selinë e Tij, po në Tiranë.

Pasi është arritur në përfundimin se, propozimi i Kryeministrit dhe dorëheqja e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm duhej pranuar, pa vonesë dhe në mënyrë që Presidenti Meta të mos bëhej pengesë për ecurinë e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, praktika administrative dhe Dekreti i Presidentit është punuar në Tiranë, është hartuar në Tiranë, është numërtuar në Tiranë dhe i është përcjellë Presidentit, i cili e ka shprehur vullnetin e Tij publikisht përmes nënshkrimit të aktit.

Në vijim kopje e dekretit të nënshkruar është administruar elektronikisht në Tiranë në selinë e Presidentit, nga ku sipas procedurave ligjore administrative është sekretuar dhe kopje e këtij dekreti e vulosur me shkresë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidentit i është përcjellë zyrtarisht autoriteteve kërkuese (Kryemimistrit dhe Ministrit të Mbrojtjes).

Forma, përmbajtja dhe ekstremitetet e dekretit të Presidentit të Republikës nuk ndryshojnë, pavarësisht vendit nga ku është bërë publik vullneti dhe nënshkruar ky akt.

Miratimi i një dekreti Presidencial si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo, por shqyrtimi i praktikës dhe hartimi i aktit, plotësimi i ekremiteteve, numërtimit, protokollimit, sekretimit, njehsimit, etj, janë veprime administrative që kryhen në Tiranë, në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës nga ku kryhet sipas ligjit dhe përcjellja zyrtare e aktit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit për zbatim tek autoritetet përgjegjëse apo kërkuese.

Kushtetuta në nenin 93 parashikon vetëm se, Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.

Për çdo të interesuar që dëshiron të njihet me përmbajtjen e dekretit e gjen atë të publikuar si gjithmonë në faqen e institucionit në linkun e mëposhtëm:

Presidenti Meta dekreton lirimin nga detyra të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajor Bajram Rushit Begaj, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura

Nëse ndokush dëshiron të njihet me dekretin edhe në format shkresor, mund të paraqesë një kërkesë për një kopje te njehsuar të këtij akti dhe mund ta sfidojë atë sipas dëshirës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Administrative apo në çdo organ ku ai e konsideron të aplikueshme dhe të realizueshme të drejtën e tij.

Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë kushtetuese të ushtrojë kompetencat e tij, në përputhje me Kushtetutën dhe në respekt të parimit të luajalitetit kushtetues ka ofruar dhe do të ofrojë gjithëmonë mbështetje të sinqertë për ruajtjen e kushtetushmërisë, si dhe duke mos u bërë pengesë pa ndonjë shkak të ligjshëm apo kushtetues për procedurat parlamentare.

Presidenti Meta, jo vetëm në këtë rast, por asnjëherë nuk i është bërë pengesë autoriteteve/funksionarëve të lartë shtetërorë që me vullnetin e tyre të lirë heqin dorë nga mbajtja e një detyre publike.

Për më tepër që në rastin konkret bëhej fjalë për Presidentin e ri të Republikës.

Na vjen keq për të gjithë ata që humbën rastin ti mbanin iso këngës “Presidenti i vjetër bllokoi ardhjen e Presidentit të ri”!

Kushtetuta e para!